E thotë studimi: Të kesh një motër të bën më të lumtur dhe më optimist

Miks Albania

Të kesh një motër ose një vëlla është një nga gjërat më të bukura në jetë.

Jo rrallë ndodh që marrëdhëniet mes motrave dhe vëllezërve mund të krahasohen edhe me marrëdhëniet e dy personazheve të famshëm të serialeve vizatimore, “Tomi dhe Xheri”.

Megjithatë, ata janë gjithmonë pranë jush, për të ndarë çdo gjë me ju dhe për t’ju dëgjuar e mbështetur pa kushte.

Së fundmi, studimet e reja kanë zbuluar se personat që kanë një motër janë më të lumtur se sa ata që nuk kanë.

Hulumtimi u krye nga studiuesit e Universitetit De Montfort në Leicester dhe Universiteti Ulster në Irlandën e Veriut.

Në këtë studim morën pjesë 570 persona midis moshës 17 dhe 25, të cilët u pyetën për sërë temash të ndryshme, përfshirë pyetjet psikologjike dhe për shëndetin mendor.

Studimi tregoi se të anketuarit që kishin një motër u inkurajuan të komunikojnë hapur për ndjenjat e tyre, gjë e cila u dha atyre një këndvështrim më pozitiv për jetën.

Profesori Toni Cassidy, i cili kreu studimin, tha:

Motrat duket se inkurajojnë komunikimin më të hapur në familje. Megjithatë, vëllezërit duket se kanë efekt alternativ. Ndarja e emocioneve dhe ndjenjave është thelbësore për shëndetin mendor dhe motrat e promovojnë këtë gjë në familje. Djemtë zakonisht kanë tendencë të natyrshme të mos flasin për këto gjëra. Djemtë janë më të prirur të mos i shprehin ndjenjat dhe emocionet. Ndërsa me vajzat ndodh ndryshe, pasi ato janë më të prirura për t’i shprehur ndjesitë e tyre.”
Cassidy theksoi se mbështetja e motrave është veçanërisht e dobishme për personat që vijnë nga familje me prindër të divorcuar.

Hulumtimi mbështetet edhe nga një studim i ngjashëm që u bë në vitin 2010 nga studiues të Universitetit Brigham Young në Utah.

Studimi i cili përfshinte 395 familje zbuloi se ata që kishin një motër, ishin persona më të dashur dhe më të lumtur. Megjithatë, ky studim tregoi që edhe vëllezërit sjellin veçori pozitive në familje.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.