Vdekja e Silvio Berluskonit është fundi i një epoke. Ai do të lërë një boshllëk të madh, e doja shumë. Lamtumirë, Silvio”, ky mesazh i ministrit Italian të mbrojtjes ishte vetëm një prej shumë reagimeve ndaj shuarjes së njeriut që transformoi peisazhin politik të Italisë.
Ish-kryeministri italian, ndërroi jetë një ditë më parë në moshën 86 vjeçare. Ai i dha tonin politikës italiane për disa dekada, krijoi një perandori mediatike, por ishte edhe një nga figurat më të kontestuara të vendit.
Berlusconi hyri në politikë në vitin 1994, dhe për gati 30 vjet ai ishte ndër emrat më të njohur të politikës italiane, katër herë kryeministër i Italisë. Pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, Berlusconi ishte vetëm senator. Një shkak i suksesit të tij politik lidhet me përçarjen e thellë brenda së majtës italiane dhe talentit të tij për krijimin e koalicioneve të pazakonta, vlerëson agjencia gjermane, kna në një nekrologji për ish-kryeministrin.
Para karrierës politike, Berlusconi kishte filluar me ndërtimin e perandorisë më të madhe televizive të Italisë. Grupi mediatik MFE drejtohet nga familja e Berlusconit dhe është aksioner edhe në Gjermani tek Prosieben-Sat1. Karriera e politikanit është tronditur disa herë nga një seri skandalesh duke nisur nga proceset gjyqësore për mashtrim financiar e deri tek roli i tij tek të ashtëquajturat “bunga-bunga-party”.
Aktualisht, partia e tij Forza Italia është pjesë e koalicionit të krahut të djathtë të kryeministres Giorgia Meloni dhe ndonëse ai vetë nuk kishte një rol në qeveri, vdekja e tij sipas analistëve ka të ngjarë të destabilizojë politikën italiane në muajt e ardhshëm.
Miqësia e Berlusconit me presidentin rus Vladimir Putin, e vuri atë në pozicion të kundërt me kryeministren Meloni, një mbështetëse e vendosur e Ukrainës.
Perandoria e tij e biznesit gjithashtu përballet me një të ardhme të pasigurt. Ai kurrë nuk tregoi publikisht se kush do të merrte përgjegjësinë e plotë të biznesit pas vdekjes së tij, edhe pse vajza e tij e madhe Marina, pritet të luajë një rol të rëndësishëm.