Befason Lionel Messi, refuzon Arabinë Saudite, i bashkohet skuadrës së Beckham

Pas plot 23 vitesh në futbollin profesionist, Lionel Messi ka braktisur Evropën, ndërsa karrierën e tij do ta vijojë në MLS.

Kampioni i botës i ka befasuar të gjithë me vendimin e tij të fundit, ndërsa refuzoi një ofertë të majme nga Arabia Saudite.

Ishte skuadra e Al-Hilal ajo e cila kërkonte shërbimet e 7 herë fituesit të Topit të Artë, madje duke pohuar se arritja e marrëveshjes ishte shumë pranë.

Por, është vetë Lionel Messi ai i cili i merr vendimet sa i përket karrierës së tij, ndërsa këtë të mërkurë konfirmoi kalimin në SHBA dhe konkretisht tek skuadra e Inter Miami.

Detajet e kontratës së yllit argjentinas ende nuk janë bërë të ditura, ndërsa skuadra e re ka si president ish-futbollistin David Beckham.

Kujtojmë se Messi kaloi plot 21 vite tek Barcelona, ku u bë pjesë në moshën 13-vjeçare. Në vitin 2021 u transferua tek skuadra e PSG, ndërsa në përfundim të këtij sezoni vendosi të largohej.

Një tjetër pistë ishte ajo e një rikthimi tek skuadra katalanase, por duket se argjentinasi nuk ka preferuar te rikthehet atje ku fitoi gjithçka. Në vitet e fundit futbolli në SHBA ka marrë një hov të madh, kjo pasi ofertat janë të majme, teksa disa nga yjet evropianë e kanë mbyllur aty karrierën e tyre.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.