BE: Nuk do të pranojmë më lëvizje provokuese në veri të Kosovës

“Bashkimi Evropian dënon shumë ashpër përleshjet ndërmjet Policisë së Kosovës dhe demonstruesve në veri të Kosovës, të iniciuara nga tentativa e kryetarëve të sapozgjedhur për të hyrë në ndërtesat komunale”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga shërbimi për shtyp i Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS).

“Të gjithë duhet të ndërmarrin hapa për të ulur situatën e tensionuar dhe për të rivendosur qetësinë menjëherë. BE-ja nuk do të pranojë lëvizje të mëtejshme të njëanshme apo provokuese dhe ruajtja e paqes dhe sigurisë në terren duhet të jetë prioritet”, thuhet në deklaratë.

Reagimi nga Brukseli vjen pas zhvillimeve të së premtes në veri të Kosovës, kur kryetarët e zgjedhur në këtë pjesë të vendit, me asistimin e Policisë së Kosovës, tentuan të hyjnë në objektet zyrtare të komunave në Zubin Potok, Zveçam dhe Leposaviq.

Grupe qytetarësh, pjesëtarë të komunitetit serb në veri të Kosovës, kanë tentuar të pengojnë kryetarët të hyjë në këto objekte.

Katër kryetarë të komunave në veri të Kosovës (Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan), të nacionalitetit shqiptar, janë zgjedhur në zgjedhjet lokale, të mbajtura më 23 prill, pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave nga radhët e Listës Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, të cilët kundërshtuan vendimin e Qeverisë së Kosovës për procesin e ri-regjistrimit nga targat ilegale serbe në ato RKS- Republika e Kosovës.

Në deklaratë, BE-ja kujton reagimin e Brukselit menjëherë pas këtyre zgjedhjeve, se ato “nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë për komunat e përfshira”. Theksohet se zgjidhja mund të gjendet vetëm përmes dialogut të mirëfilltë ndërmjet të gjithë aktorëve kryesorë, të cilët përfshijnë Kosovën, Serbinë dhe komunitetin serb të Kosovës – me ndihmën e BE-së.

Gjithashtu, BE-ja shpreh keqardhje për sulmin ndaj patrullave të EULEX-it dhe thotë se ky mision civil i Bashkimit Evropian duhet të lejohet ta kryejë mandatin e tij në mënyrë paqësore.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në orët e vona të pasdites, ka njoftuar se në zyrat e tyre kanë hyrë kryetarët e komunave të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, komuna tëbanuara me shumicë serbe. Ata bënë betimin një ditë më parë.

Ai vlerësoi se policia ishte “profesioniste në trajtimin e grupeve të organizuara kriminale, të cilat synonin të pengonin procesin”./ REL

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.