Enkelejd Alibeaj dorëhiqet nga drejtimi i Partisë Demokratike

Enkelejd Alibeaj ka dhënë dorëheqjen nga posti i drejtuesit të komanduar të Partisë Demokratike si dhe nga drejtimi i Grupit Parlamentar të PD.

Dorëheqja vjen vetëm tre ditë pas disfatës në zgjedhjet lokale, ku forca politike e drejtuar prej tij nuk arriti të fitonte në asnjë bashki. PD kandidoi me Roland Bejkon në Tiranë dhe u rendit në vend të katërt.

“Jap dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Demokratike. Unë po lë drejtimin e partisë, për t’i hapur rrugë drejtimit kolegjial të partisë. Tashmë që zgjedhjet përfunduan, po largohem dhe do të vazhdoj të ushtroj detyrën time si nën-kryetar dhe anëtar i PD.

Këtë vit që kam drejtuar partinë, kemi patur disa arritje, Nuk kemi lejuar që PD të shkojë drejt shkrirjes, as të shkojë drejt anti-amerikanizmit”, deklaroi Alibeaj.

Alibeaj njoftoi mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike ditën e premte, ku tha se do të vendoset për drejtimin e kësaj force politike nga organet kolegjiale.

Alibeaj e ka drejtuar Partinë Demokratike pas dorëheqjes së Lulzim Bashës, për rreth gati një vit, kur kjo forcë politike pësoi krisjen e madhe me mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Çështja shkoi në gjykatë, ku drejtësia vendosi se PD zyrtare, vula dhe logo i takonin grupimit të Alibeajt, i cili mori postin e kryetarit të komanduar dhe u regjistrua në zgjedhjet vendore.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.