Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, së fundmi ka bërë disa deklarata të forta.
Kryemadhi e ftuar në një intervistë televizive, ka debatuar gazetarin dhe analistin, Arjan Çani, në lidhje me zgjedhjet e 14 Majit. i gjithë debati nisi teksa Çani u shpreh se mendon se zgjedhjet e 14 majit janë vetëm një alibi për të treguar se në Shqipëri qytetarët kanë votuar, Kryemadhi nga ana tjetër nuk mendon kështu.
“Ti në këtë rast po i bën shërbimin më të madh Edi Ramës që po i thua njerëzve mos shko të votosh. Unë do shkoj shtëpi më shtëpi dhe do pyes a e urren Erion Veliajn? Në 10 njerëz, 8 e urrejnë”, tha deputetja e Partisë së Lirisë.
Më tej gjatë replikave në studio, Kryemadhi u shpreh se kjo ‘luftë e opozitës’, është një mision i përbashkët i shqiptarëve, teksa theksoi se për të mbrojtur familjen e saj do përdorte edhe armë.
“Pse ça do marr unë? Kallashin? Unë kallashin e marr për fëmijën tim vëlla. Mua po më preke fëmijën tim, të shkrij, të vras, të djeg, me plumb, me çfarë të duash, po më preke fëmijën tim, familjen time. Për fëmijën tënd nuk dal të luftoj unë, do dalësh të luftosh ti për fëmijën tënd.”, u shpreh Kryemadhi.
Ajo u ndal të fliste edhe për vendimin e Kolegjit Zgjedhor, i cili rrëzoi kërkesën e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për të shpallur Berishën liderin e tij.
Deputetja deklaroi gjithashtu se lideri i opozitës sot është ish-kryeministri Sali Berisha. Ajo theksoi se Berisha gëzon respektin e saj për faktin se nuk ra pre e shantazheve dhe e presioneve.
“Lideri i opozitës është Sali Berisha sot. E di për çfarë e respektoj unë Berishën? Që Berisha nuk e rruajti fare për asnjë shantazh e presion dhe për këtë e përshëndes. Ja ku ka Tik Tok-un e radhës. Opozita ka dashin e kopesë. Dashi pra, dashi me brirë. Ai drejton tufën, dashi me brirë është Sali Berisha. A na ka mbledhur Sali Berisha të gjithëve bashkë. Unë liderin tim kam Ilir Metën, ai është ulur dhe ka bërë një marrëveshje me Berishën. Kështu ai është përfaqësuesi”, tha Kryemadhi.