Përmes një dekreti të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, të shtunën ka filluar rekrutimi i rregullt pranveror i ushtarëve të rinj, sipas raportimeve të mediumit rus RBK.
Vladimir Tsimlyansky, kundëradmiral i Shtabit të Përgjithshëm, ka thënë se këtë herë janë thirrur 147 mijë nga gjithsej 700 mijë personat që ishin të kualifikuar. Kjo fushatë do të zgjasë deri më 15 korrik.
Por, ai ka theksuar se asnjëri nga këta të rekrutuar nuk do të shkonte për të luftuar në vijën e frontit në Ukrainë.
Burrat rusë të moshës nga 18 deri në 27 vjeç duhet ta kryejnë të paktën një vit në shërbim ushtarak.
Tsimlyansky tha të premten se thirrjet nga zyrat ushtarake të distriktit do të dërgoheshin për herë të parë edhe në formë elektronike.
Njoftimet tradicionalisht shpërndaheshin me postë dhe do të vazhdojnë të shpërndahen në ato raste ku dorëzimi elektronik nuk është i mundur.
Në 13 muaj që kur presidenti rus, Vladimir Putin, nisi luftën në Ukrainë, forcat ruse kanë pësuar, siç thonë zyrtarët perëndimorë, viktima në përmasa “katastrofale”. Sipas vlerësimeve të fundit të Departamentit amerikan të Shtetit, numri i ushtarëve të vrarë apo të plagosur është afër 200.000.
Sa i përket Ukrainës, që në mënyrë strikte ka mbajtur të fshehur numrin e humbjeve, Kievi mund të ketë regjistruar të paktën 120.000 viktima, ka raportuar Washington Post.
Por, Rusia e përballur me dështime të vazhdueshme në fushëbetejë, qe dy herë është duke zhvilluar fushata për rekrutimin e burrave për të luftuar.
Në shtatorin e vitit 2022, Putin tronditi shumë rusë kur njoftoi për mobilizimin e rezervistëve dhe ushtarakëve të tjerë, duke synuar mobilizimin e 300.000 personave.
Të paktën 42 rajone të shtetit tani po thërrasin burrat që janë në moshë për luftë, sipas avokatit për të drejtat e njeriut, Pavel Chikov./ REL