Tirana do të presë këtë të diel, më 15 nëntor, edicionin e dhjetë të Maratonës së Tiranës. Për mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv, Bashkia e Tiranës dhe Policia e Shtetit kanë hartuar një plan masash që parashikon bllokimin dhe devijimin e qarkullimit në një numër të konsiderueshëm rrugësh të kryeqytetit.
Sipas planit, kufizimet e trafikut do të nisin në orën 08:00 dhe do të zgjasin deri në orën 16:00. Gjatë këtij intervali, automjetet nuk do të lejohen të qarkullojnë në akset ku do të zhvillohet gara, ndërsa drejtuesit e mjeteve do të duhet të përdorin rrugët alternative.
Rrugët ku do të kufizohet qarkullimi
Bllokimet do të përfshijnë sheshin “Nënë Tereza”, bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, si dhe rrugët “Gjergj Filipi”, “Papa Gjon Pali II”, “Ismail Qemali”, “George W. Bush”, “Urani Pano”, “Ismail Ndroqi” dhe “Abdi Toptani”.
Kufizime do të ketë gjithashtu në bulevardin “Zogu I”, Bulevardin e Ri dhe rrugët “Ded Gjo Luli”, “Durrësit”, “Kavajës”, “Myslym Shyri”, “Ibrahim Rugova” dhe “Lek Dukagjini”.
Ndërkohë, bllokimet do të shtrihen edhe në segmente të bulevardeve “Zhan D’Ark”, “Bajram Curri” dhe “Gjergj Fishta”, si dhe në pjesë të Unazës së Mesme dhe rrugëve “Luigj Gurakuqi”, “Dibra”, “Barrikadave”, “Mine Peza”, “Vaso Pasha”, “Sami Frashëri” dhe “Abdyl Frashëri”.
Për menaxhimin e trafikut dhe shmangien e kaosit në qarkullim, janë parashikuar edhe drejtime të detyruara në disa kryqëzime, përfshirë ato pranë rrugës së Elbasanit, bulevardit “Zhan D’Ark”, rrugës së Dibrës, rrugës “Hoxha Tahsim”, bulevardit “Zogu I” dhe kryqëzimit “21 Dhjetori”.
Drejtuesit e automjeteve këshillohen të planifikojnë paraprakisht lëvizjet dhe të përdorin akset alternative gjatë orëve të zhvillimit të maratonës.
