Juriste e së drejtës ndërkombëtare dhe doktore e shkencave politike, me mbi 20 vite përvojë në institucionet shtetërore, organizatat ndërkombëtare dhe integrimin evropian: Një karrierë mes ligjit, administratës publike dhe integrimit evropian.
Nga viti 2021, znj. Hasani ka qenë këshilltare pranë Zyrës së Kryeministrit. Ajo është angazhuar në planifikimin strategjik të projekteve dhe përthithjen e fondeve për shtetin shqiptar. Sipas të dhënave zyrtare të AICS, në pesë vitet e fundit, falë edhe kontributit të saj, Shqipëria ka përfituar, rreth 84% e portofolit dedikuar për Ballkanin Perëndimor.
Ajo ka zhvilluar gjithashtu projekte që lidhen me sigurinë e nivelit të lartë dhe nisma në kuadër të NATO-s.
Në vitet 2017–2018 ka shërbyer si këshilltare për projektet e BE-së dhe më pas si Drejtore e Kabinetit të Ministrit të Shtetit për Diasporën. Në këtë periudhë kontribuoi në ngritjen e Agjencisë Kombëtare për Diasporën, Fondit Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës dhe Qendrës së Botimeve për Diasporën, si dhe në raportin për remitancat me Bankën e Shqipërisë.
Ka bashkëpunuar me UNICEF, IOM, Ambasadën Italiane në Tiranë dhe Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim. Për shtatë vite ka qenë vlerësuese e projekteve për Komisionin Evropian.
Që nga viti 2014 është pedagoge e së Drejtës Evropiane, së Drejtës Administrative dhe Menaxhimit të Ciklit të Projekteve në Universitetin “Marin Barleti”. Ka drejtuar Institutin Barleti për Kërkim dhe Zhvillim (2015–2019) dhe Institutin Adriapol (2019–2022).
Më herët, për rreth dhjetë vite, ka punuar si juriste në studio ligjore në Lombardi, Itali, me fokus këshillim për IFC, Bankën Botërore dhe BERZH.
Hasani ka diplomë në të Drejtën Ndërkombëtare nga Universiteti Shtetëror i Milanos, master në Planifikimin e Projekteve Evropiane në Bruksel dhe doktoraturë në shkencat politike. Flet italisht, anglisht dhe frëngjisht.
