Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk e nisën luftën me Iranin, por se Teherani ka qenë në konflikt me Uashingtonin që prej vitit 1979.
Gjatë një ceremonie për Ditën e Veteranëve, të mbajtur në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, Trump u shpreh se kjo përballje duhej të ishte zgjidhur shumë kohë më parë.
Duke folur në Amfiteatrin Memorial të varrezave, presidenti amerikan pretendoi se SHBA-të e kanë fituar luftën me Iranin, por theksoi se administrata e tij synon një fitore të plotë.
“Është vetëm çështje kohe se kur duam ta përfundojmë atë. Ne duam të sigurojmë një fitore të plotë, jo një fitore prej 93%”, deklaroi Trump.
Ai paralajmëroi se konflikti mund të përfundojë së shpejti, duke pretenduar se Irani do të ketë nevojë për rreth 25 vjet për të rindërtuar atë që është shkatërruar gjatë luftës.
“Do t’u duhen atyre 25 vjet për të rindërtuar atë që shkatërruam dhe shpresoj se nuk do të na duhet të shkatërrojmë më shumë nga ky vend”, u shpreh kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Gjatë fjalimit të tij, Trump bëri gjithashtu një krahasim mes konflikteve të mëparshme ku janë përfshirë Shtetet e Bashkuara, si luftërat në Kore, Vietnam, Irak dhe Afganistan, dhe operacionit amerikan në Venezuelë, që sipas tij çoi në rrëzimin e presidentit Nicolas Maduro në janar.
Duke iu referuar kohëzgjatjes së këtyre konflikteve dhe numrit të viktimave, ai pretendoi se SHBA-të nuk kishin përfituar pothuajse asgjë prej tyre, ndërsa operacionin në Venezuelë e përshkroi si një sukses të jashtëzakonshëm, që sipas tij përfundoi brenda 48 minutash.
Trump u ndal edhe te përfitimet ekonomike që, sipas tij, Shtetet e Bashkuara do të kenë nga nafta dhe burimet e tjera të Venezuelës.
“Ne fitojmë miliarda e miliarda dollarë nga nafta dhe të gjitha llojet e tjera të mallrave. Do të jenë qindra miliarda. Askush nuk ka parë ndonjëherë diçka të tillë dhe ne tashmë e kemi mbuluar koston e luftës shumë, shumë herë”, deklaroi ai.
Në përfundim të fjalimit, presidenti amerikan foli edhe për projektin e ndërtimit të një harku triumfi, rreth 250 metra të lartë, mes Memorialit të Abraham Linkolnit dhe Varrezave Kombëtare të Arlingtonit. Sipas Trump, monumenti do të ndërtohet në nder të veteranëve dhe ushtrisë amerikane.
Megjithatë, projekti është kundërshtuar në gjykata, ndërsa kritikët argumentojnë se ndërtimi i tij mund të dëmtojë pamjen historike të kryeqytetit amerikan.
Trump nuk iu referua drejtpërdrejt zgjedhjeve të mesit të mandatit, por pranoi se administrata e tij do të përballet me disa pengesa, të cilat, sipas tij, do të kapërcehen.
“Ne po bëjmë gjëra që askush nuk i mendonte kurrë se ishin të mundshme dhe, po, do të përballemi me disa pengesa të vogla. Do t’i trajtojmë ato shumë mirë”, përfundoi presidenti amerikan.
