Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme më 31 tetor në Malësinë e Madhe, ku një 47-vjeçar me shtetësi gjermane ka plagosur me thikë dy efektivë policie.
Policia është njoftuar nga një 27-vjeçar, i cili pretendonte se drejtuesi i një automjeti tjetër i kishte hedhur benzinë makinës së tij gjatë udhëtimit nga Hani i Hotit në drejtim të Shkodrës. Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e policisë kanë ndërhyrë dhe kanë ndaluar automjetin e dyshuar në fshatin Pjetroshan.
Gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e tij, 47-vjeçari ka refuzuar të identifikohet dhe ka goditur me thikë dy efektivët e Patrullës së Përgjithshme. Të plagosurit, inspektorët S. B. dhe I. S., janë transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Ndërkohë, autori i dyshuar është neutralizuar dhe shoqëruar në Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i policisë
Malësi e Madhe/Informacion paraprak
Rreth orës 17:30, në sallën operative të DVP Shkodër, ka njoftuar shtetasi A. Q., 27 vjeç, se gjatë udhëtimit me automjetin e tij, nga Hani i Hotit në drejtim të Shkodrës, drejtuesi i një automjeti tjetër dyshohet se i kishte hedhur benzinë mbi automjet, në afërsi të një pike karburanti pranë pikës së kalimit kufitar.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë ndaluar automjetin e dyshuar në fshatin Pjetroshan.
Drejtuesi i këtij automjeti, shtetasi gjerman J. K., 47 vjeç, ka refuzuar të identifikohet dhe, gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e tij, ka goditur me mjet prerës (thikë) dy punonjës të Patrullës së Përgjithshme, inspektorët S. B. dhe I. S., të cilët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Policisë kanë neutralizuar dhe shoqëruar 47-vjeçarin në ambientet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
