Kryeministri Edi Rama ka përsëritur thirrjen për dialog drejtuar protestuesve, duke vendosur sërish përpara Kryeministrisë një tryezë betoni, mbi të cilën janë vendosur fletë të bardha me mbishkrimin “Dialog”.
“Mirëmëngjes”, shkruan Rama në përshkrimin e videos së publikuar në rrjetet sociale.
Që prej nisjes së protestave, të cilat në ditët e para u shoqëruan me episode dhune ndaj policisë, institucioneve dhe pronës private, kreu i qeverisë u ka bërë disa herë thirrje protestuesve për t’u ulur në tryezën e dialogut.
Rama ka shprehur gatishmërinë për të diskutuar kërkesat e tyre me mazhorancën qeverisëse, por deri më tani ftesat nuk janë pranuar.
Ndërkohë, protesta vijon që prej 13 tetorit.
