Një grua u vra të dielën në mbrëmje në Vitomiricë të Pejës, ndërsa i dyshuar për vrasjen është kunati i saj.
Viktima dyshohet se u qëllua për vdekje me sëpatë.
Rasti ishte paraprirë nga një raportim në Policinë e Pejës për dhunë në familje, pas të cilit bashkëshorti i viktimës ishte ndaluar për 48 orë.
Sipas Policisë, viktima kishte kërkuar me vullnetin e saj të kthehej në shtëpi.
Ndërkaq, në orën 21:10, policia kishte pranuar informacionin se ajo ishte gjetur pa shenja jete.
Tri ditë më parë ajo kishte dorëzuar një letër në adresë të kryeprokurores së Pejës përmes së cilës ajo kishte kërkuar ndërmarrjen urgjente të veprimeve ndaj zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse, duke pretenduar se ata kishin dështuar në përmbushjen e detyrave zyrtare gjatë trajtimit të rastit të saj, përfshirë edhe ekzekutimin e një vendimi gjyqësor.
“Kërkoj ekzekutimin e menjëhershëm të urdhërit gjyqësor dhe hapjen e hetimeve ndaj të gjithë zyrtarëvetë përfshirë duke nisur nga QPS-ja. Kjo është shtesa ime e fundit. Uroj që të mos vij dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime. Tani po e kuptoj pse kaq shumë vrasje. Gruaja me ligj në dorë po e vritka gruan, jo burrri”, thuhet në letrën dërguar Prokurorisë.
Prokuroria Themelore në Pejë ka konfirmuar pranimin e një parashtresë nga e ndjera Arlinda Zekaj.
“Me qëllim të vlerësimit të pretendimeve në aspektin e përgjegjësisë penale, në drejtim të veprës penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, parashtresa u regjistrua për trajtim nga prokurori kompetent. Njëkohësisht, ajo iu përcoll për trajtim urgjent autoriteteve përkatëse institucionale, përfshirë Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, Gjykatën Themelore në Pejë, Drejtorinë për Mirëqenie Sociale dhe Qendrën për Punë Sociale, me kërkesën që të shqyrtohen pretendimet dhe të verifikohen lëshimet e mundshme apo veprimet e zyrtarëve përkatës, brenda kompetencave të tyre institucionale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Pejës.
Sa i përket ekzekutimit të vendimit gjyqësor, i cili kishte të bënte me shfrytëzimin e barabartë të shtëpisë, Prokuroria ka njoftuar se ky vendim ishte ekzekutuar nga prokurorja kujdestare, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Raportohet se në shtëpinë e përbashkët qëndronin edhe familjarë të ish bashkëshortit ndërsa sipas avokatëve ajo po luftonte për të marrë kujdestarinë e fëmijës ku vendimi i gjykatës nuk ishte zbatuar në plotësi sipas viktimës.
