Protestat ‘pushtojnë’ Europën| Në Francë arrestohen 1 mijë persona, Italia në kaos

Europa përjetoi një tjetër ditë protestash dhe tensionesh. Mijëra qytetarë dolën në rrugët e Francës kundër rritjes së kostos së jetesës dhe pabarazisë sociale. 

Megjithëse demonstratat nisën kryesisht në mënyrë paqësore, me rënien e mbrëmjes shpërthyen përplasje me policinë në Paris dhe qytete të tjera, pavarësisht masave të shtuara të sigurisë.

Sipas Ministrisë së Brendshme franceze, në protesta morën pjesë rreth 410 mijë persona në të gjithë vendin, ndërsa sindikatat pretendojnë se numri ishte afro 800 mijë. Vetëm në Paris marshuan rreth 110 mijë demonstrues, sipas autoriteteve, të cilët kundërshtuan rritjen e çmimeve dhe politikat e qeverisë së presidentit Emmanuel Macron.

Për të parandaluar përsëritjen e dhunës së fundjavës së kaluar, autoritetet angazhuan rreth 70 mijë policë dhe xhandarë, 10 mijë më shumë se në protestën e 17 tetorit. Në kryeqytet, shumë dyqane u mbrojtën me dërrasa, disa muze dhe institucione kulturore mbyllën dyert, ndërsa më shumë se 20 stacione metroje nuk funksionuan.

Situata ndryshoi pas përfundimit të marshimit, kur grupe të rinjsh të maskuar hodhën gurë dhe sende të forta drejt forcave të rendit. Policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë për të shpërndarë turmat. Përplasjet u përhapën edhe në Marsejë, ku protestuesit ngritën barrikada, dogjën kazanë mbeturinash dhe sulmuan policinë. Sipas autoriteteve, dy argjendari u plaçkitën gjatë trazirave.

Bilanci i arrestimeve u rrit gjatë ditës. Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, deklaroi se mbi 1 mijë persona ishin arrestuar në të gjithë vendin, ndërsa shifrat pritet të rriten. Ndërsa pati 1 mijë persona të lënduar. Autoritetet thanë se dhuna ishte më e kufizuar krahasuar me fundjavën e kaluar, kur disa qytete u përfshinë nga grabitjet dhe vandalizmi.

Tensione u regjistruan edhe në Itali, ku demonstratat u zhvilluan për të dytën fundjavë radhazi. Në Romë, marshimi përfundoi pa incidente të rënda, ndërsa në Torino pati përplasje të shkurtra me policinë. Protestuesit kundërshtuan rritjen e kostos së jetesës, luftën dhe riarmatimin, ndërsa disa kërkuan edhe daljen e Italisë nga NATO.

Në Milano, autoritetet shtuan masat e sigurisë pas trazirave dhe plaçkitjeve të javës së kaluar. Policia kreu kontrolle dhe ndalime paraprake, ndërsa forcat e sigurisë patrulluan zonat kryesore të qytetit për të parandaluar incidente të reja.

Protestat dhe përplasjet u shtrinë edhe në Belgjikë. Në Bruksel, policia përdori gaz lotsjellës dhe spraj irritues kundër demonstruesve që kërkonin përmirësimin e kushteve në arsim dhe kundërshtonin politikat e qeverisë. Pamjet treguan protestues që vraponin në rrugë, ndërsa forcat e rendit ndërhynin për të shpërndarë turmat.

Mijëra protestues dolën sërish në rrugët e Lisbonës, kundër thellimit të krizës së strehimit në Portugali.

Demonstruesit marshuan nën një banderolë ku shkruhej “Greva e përgjithshme për strehimin”, ndërsa tundnin çelësat në ajër. Portugalia po përballet me një nga krizat më të rënda të strehimit në Europë.

Protestuesit në të gjitha vendet bashkohen në kërkesat për kushte më të mira ekonomike, shërbime publike dhe ndryshime politike.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.