Probleme me trafikun ajror në Itali, anulohen 8 fluturime nga Tirana

Trafiku ajror në Itali është reduktuar mëngjesin e kësaj të premteje, 16 tetor, për shkak të anomalive në rrjetin e transmetimit të të dhënave që përdoret për kontrollin e fluturimeve. Autoriteti Italian i Menaxhimit të Trafikut Ajror (ENAV) po operon me vetëm 50% të kapacitetit, situatë që ka sjellë vonesa dhe anulime fluturimesh edhe në Shqipëri.


Ministria e Infrastrukturës njofton se deri më tani janë anuluar 8 fluturime nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës drejt aeroporteve italiane. Sipas ministrisë, priten vonesa dhe anulime të tjera, si për fluturimet drejt Italisë, ashtu edhe për ato nga Italia, deri në rikthimin e kapacitetit të plotë të trafikut ajror italian.

” Për shkak të një anomalie në rrjetin e transmetimit të të dhënave, që mbështet shërbimet e kontrollit të trafikut ajror në Itali, gjatë orëve të para të datës 16 tetor, ENAV (Ofruesi i Shërbimeve të Lundrimit Ajror në Itali) po operon me 50% të kapacitetit. Ky reduktim i kapacitetit të trafikut ajror në Itali pritet të shkaktojë vonesa dhe anulime fluturimesh drejt dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës. Deri më tani, janë anuluar 8 fluturime nga Aeroporti i Tiranës drejt aeroporteve italiane. Gjithashtu, priten vonesa dhe anulime të tjera të mundshme, si për fluturimet drejt Italisë, ashtu edhe për ato nga Italia, deri në rikthimin e kapacitetit të plotë të hapësirës ajrore dhe aeroporteve italiane. Hapësira ajrore shqiptare dhe Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës vijojnë të operojnë me kapacitet të plotë” thuhet në njoftim.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.