Tiranë/ Plagosi me thikë dhe motosharrë administratorin e pallatit, arrestohet 35-vjeçari

Një 35-vjeçar është arrestuar nga Policia pasi dyshohet se ka plagosur rëndë me mjete prerëse (thikë dhe motosharrë) administratorin e pallatit ku banonte, pas një konflikti për linjën e ujit të pijshëm.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm në ambientet e një pallati në rrugën “Aleksandri i Madh”.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, menjëherë pas njoftimit të mëngjesit të sotëm, se në ambientet e një pallati në rrugën “Aleksandri i Madh”, ndodhej i dëmtuar administratori i objektit, shtetasi F. G., 74 vjeç, shkuan në vendngjarje për të sqaruar autorësinë dhe rrethanat e rastit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, u identifikua dhe u arrestua menjëherë pas kryerjes së krimit, autori i dyshuar, shtetasi K. L., 35 vjeç, banor i këtij pallati.

Nga veprimet e deritanishme hetimore dyshohet se 35-vjeçari ka plagosur rëndë, me mjete prerëse, 74-vjeçarin, gjatë një konflikti për linjen e ujit të pijshëm në këtë pallat.

I dëmtuari është transportuar në spital, ku është në kujdesin e mjekëve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të këtij rasti”, njofton policia.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.