Rama nis takimin me drejtuesit socialistë në Pogradec, në fokus “Besa” dhe përgatitjet për zgjedhjet e 2027-ës

Kryeministri dhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka nisur në Pogradec takimin me 12 drejtuesit politikë të qarqeve dhe kryetarët socialistë të komisioneve parlamentare. Mbledhja po zhvillohet në vilën qeveritare të Pogradecit dhe shënon nisjen e një axhende dyditore të socialistëve, në prag të sezonit të ri politik.

Në qendër të diskutimeve janë dy dokumentet e dorëzuara në fund të korrikut pranë grupit parlamentar socialist, “Besa” dhe “Prania e Besës”. Rama pritet të dëgjojë reflektimet dhe propozimet e drejtuesve politikë mbi këto dokumente, me synim përpunimin e tyre dhe hartimin e një dokumenti përfundimtar për Partinë Socialiste.

Gjatë takimit pritet të diskutohen edhe objektivat politike të PS-së për periudhën e ardhshme, organizimi dhe forcimi i strukturave në terren, si dhe përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit 2027.

Takimi në Pogradec zhvillohet në një moment kur socialistët po përgatiten për nisjen e sezonit të ri politik dhe konsolidimin e prioriteteve për vijimin e mandatit të katërt qeverisës.

Axhenda dyditore do të vijojë nesër me mbledhjen e ministrave, ku pritet të bëhet bilanci i punës së dikastereve për periudhën janar–gusht 2026 dhe të përcaktohen prioritetet e qeverisë për muajt e ardhshëm.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.