TikTok dhe kompania e saj mëmë, ByteDance do ti paguajnë 400 milionë dollarë qeverisë amerikane për të mbyllur një çështje gjyqësore që lidhet me privatësinë e fëmijëve.
Autoritetet amerikane akuzuan platformën se kishte mbledhur të dhëna personale të miliona përdoruesve nën moshën 13 vjeç, pa marrë lejen e prindërve.
Sipas marrëveshjes, 300 milionë dollarë do të paguhen menjëherë, ndërsa 100 milionë dollarët e mbetur do të shlyhen më vonë.
Departamenti amerikan i Drejtësisë tha se gjatë viteve të fundit TikTok ka ndryshuar disa prej praktikave, përfshirë mënyrën se si trajton privatësinë dhe kontrollon përdoruesit e mitur.
Çështja vjen në një kohë kur TikTok vazhdon të përballet me presion të madh në SHBA. Platforma ka qenë në qendër të debatit për sigurinë e të dhënave dhe kalimin e tyre drejt Kinës.
Edhe kompani të tjera të mëdha teknologjike janë ndëshkuar më parë për shkelje të rregullave për mbrojtjen e fëmijëve. YouTube pagoi 170 milionë dollarë në vitin 2019, ndërsa Epic Games 275 milionë dollarë në vitin 2022.
Nga ana tjeter Meta po përballet me një proces tjetër të rëndësishëm në SHBA, ku akuzohet se platformat e saj kanë mbledhur dhe përdorur të dhënat e përdoruesve të mitur.
Për TikTok-un, marrëveshja prej 400 milionë dollarësh është një nga goditjet më të mëdha financiare të kompanisë në SHBA për çështjet e privatësisë së fëmijëve.
