Temperatura deri në 41 gradë Celsius priten sot në vendin tonë, ndërsa moti do të jetë kryesisht i kthjellët në të gjithë territorin.
Shqipëria do të ndikohet gjatë ditës së sotme nga masa ajrore të qëndrueshme dhe të nxehta, duke sjellë temperatura të larta dhe kushte të qëndrueshme atmosferike.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti do të jetë i kthjellët në të gjithë vendin. Vranësira të pakta dhe kalimtare priten gjatë orëve të mesditës dhe pasdites, kryesisht në relievet e larta malore.
Era do të fryjë me drejtim veriperëndim-veri, me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s. Herë pas here, përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore, era pritet të forcohet, duke arritur shpejtësi deri në 14 m/s.
Në zonat bregdetare, deti do të ketë valëzim të forcës 1-3 ballë.
