Tragjedi në Kretë, 40 vjeçarja bie nga varka gjatë një shëtitjeje në det dhe humb jetën para syve të tre fëmijëve

Një shëtitje me gomone në një plazh të Malias, në ishullin e Kretës, përfundoi në tragjedi mesditën e së mërkurës, pasi një turiste 40-vjeçare nga Holanda humbi jetën duke u mbytur, para syve të tre fëmijëve të mitur.

Sipas mediave greke, dy gra nga Holanda kishin marrë me qira një gomone në zonën detare Klotzani, në komunën e Hersonisos, së bashku me tre fëmijë. Për arsye që ende nuk janë sqaruar, njëra prej grave përfundoi në det.

Momentet që pasuan ishin dramatike, pasi në gomone ndodheshin dy fëmijë nën moshën 5 vjeç dhe një adoleshent, të cilët kërkuan ndihmë. Në vendngjarje mbërritën menjëherë mjete ujore (jet ski) nga bizneset përreth që ofrojnë aktivitete detare, për të ndihmuar në operacionin e shpëtimit.

Turistja tjetër arriti ta nxirrte 40-vjeçaren nga uji, por ajo ishte pa shenja jete. Në plazh mbërriti edhe një ambulancë, por mjekët vetëm konstatuan vdekjen e saj.

Sipas burimeve të Rojës Bregdetare greke, për marrjen me qira të gomoneve me motor deri në 30 kuaj fuqi nuk kërkohet leje drejtimi, ndaj shumë turistë i përdorin ato për shëtitje në det.

Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e sakta në të cilat 40-vjeçarja ra në ujë dhe humbi jetën.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.