Shqipëria do të krijojë për herë të parë Institutin Kombëtar të Tumoreve, një strukturë e ndërtuar sipas modeleve më të mira europiane, me referencë Institutin Kombëtar të Tumoreve të Milanos. Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, pas mbledhjes së Qeverisë.
Sipas saj, instituti do të mbështetet në tre shtylla kryesore: shërbimin klinik, mësimdhënien dhe kërkimin shkencor. Në fushën klinike do të ofrohen shërbime të kirurgjisë onkologjike, kimioterapisë dhe radioterapisë, ndërsa do të ngrihet edhe njësia e parë e studimeve klinike në vend.
Sala theksoi se kjo do t’u mundësojë pacientëve shqiptarë të marrin pjesë në studime klinike ndërkombëtare dhe të kenë akses në trajtime e barna inovative. Ajo shtoi se Instituti Kombëtar i Tumoreve do të bëhet pjesë e organizatës europiane të qendrave shkencore onkologjike, duke i hapur rrugë përfitimit të fondeve europiane për kërkim, teknologji dhe zhvillimin e barnave të reja.
Ministrja njoftoi gjithashtu ndryshime në programin kombëtar të Check-Up. Me vendimin e ri hiqet kufiri maksimal i moshës për përfitimin e kontrollit shëndetësor falas, duke u mundësuar të gjithë qytetarëve mbi 35 vjeç, përfshirë edhe ata mbi 70 vjeç, të përfitojnë nga ky shërbim.
Një tjetër ndryshim është kalimi i shërbimeve të Check-Up dhe dializës në administrimin e shtetit. Sipas Salës, këto shërbime do të ofrohen tashmë drejtpërdrejt nga institucionet publike.
