Një ngjarje e rëndë është regjistruar mëngjesin e sotëm në fshatin Vidhishtë, Roskovec. Sipas informacioneve paraprake, dhëndri ka vrarë ish-vjehrrin dhe ka plagosur ish-vjehrrën.
Policia e Shtetit ka reaguar zyrtarisht pas ngjarjes së rëndë të regjistruar mëngjesin e kësaj të premteje në fshatin Vidhisht, Roskovec.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, rreth orës 06:00, dyshohet se shtetasi Refit Buzi, 35 vjeç, ka vrarë me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, Kosta Plaka, 58 vjeç, si dhe ka plagosur ish-vjehrrën, Belere Plaka, rreth 55 vjeçe.
E plagosura është transportuar në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje, kanë ngritur pika kontrolli dhe kanë nisur një operacion për kapjen e autorit të dyshuar.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se, pas krimit, 35-vjeçari është larguar nga vendngjarja me automjet, së bashku me ish-bashkëshorten e tij, duke marrë me vete edhe armën e gjahut të dyshuar të përdorur në ngjarje.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.
Policia ka intensifikuar kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, ndërsa hetimet vijojnë.
