Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi dënimin me 28 vite burg për Ilir Selmanin, i shpallur fajtor si pjesë e grupit kriminal të akuzuar për ekzekutimin e ish-efektivit të Policisë së Shtetit, Santiago Malko.
Vendimi u dha ditën e premte, ndërsa Selmani nuk u paraqit në seancën gjyqësore. Pas konfirmimit të dënimit, ai pritet të transferohet nga masa e arrestit në shtëpi drejt një burgu të sigurisë së lartë për të vuajtur dënimin.
Selmani ishte dënuar me 19 gusht të 2020 nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndërsa çështja u rikthye për rishqyrtim pas një vendimi të Gjykatës së Lartë. Pas rigjykimit, Apeli i Posaçëm vendosi të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë.
Vrasja e Santiago Malkos ndodhi në gusht të vitit 2019 në Tiranë. Ish-efektivi i Policisë së Shtetit u ekzekutua me armë zjarri, ndërsa hetimet e mëvonshme zbuluan një grup kriminal të përfshirë në ngjarje.
Njoftimi i vendimit:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët e caktuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor Dritan Hasani (kryesues), Miranda Andoni (anëtare) dhe Arbër Çela (anëtar), sot, më datë 17.07.2026, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 23, akti datë 16.02.2026 regjistrimi.
Kjo çështje është regjistruar pas prishjes nga Gjykata e Lartë të vendimit nr. 48, datë 16.11.2023, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe kthimit për rishqyrtim me një tjetër trup gjykues, disponuar mbi ankimin e paraqitur nga i pandehuri/ankues I.S., ndaj vendimit nr. 28, datë 03.05.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
- Lënien në fuqi të vendimit nr. 28, datë 03.05.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për të pandehurin I.S.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.
U shpall në Tiranë, sot, më datë 17.07.2026.
