Gratë në Shqipëri janë mesatarisht 2.3 vite më të moshuara se burrat për sa i përket moshës mediane, sipas raportit më të fundit të INSTAT, “Gratë dhe Burrat 2025”. Të dhënat tregojnë se gjatë vitit 2024 mosha mediane e grave arriti në 45.4 vjeç, ndërsa ajo e burrave në 43.1 vjeç. Brenda vetëm një viti, mosha mediane e grave u rrit me 0.7 vjet, duke reflektuar përshpejtimin e procesit të plakjes së popullsisë.
Sipas ekspertëve, ky zhvillim lidhet kryesisht me jetëgjatësinë më të lartë të grave, të cilat përbëjnë pjesën më të madhe të grupmoshave të avancuara. Në të njëjtën kohë, vendi po përballet me një transformim të thellë demografik të ndikuar nga rënia e lindjeve dhe emigracioni i vazhdueshëm i të rinjve.
Në fund të vitit 2024, popullsia e Shqipërisë zbriti në 2.36 milionë banorë, ose 1.2% më pak krahasuar me një vit më parë. Numri i grave u ul me 1%, ndërsa ai i burrave me 1.3%. Ndërkohë, migracioni neto mbeti negativ për të dyja gjinitë, duke tkurrur më tej popullsinë në moshë pune dhe duke rritur peshën e të moshuarve.
Ky ndryshim demografik pritet të sjellë sfida të rëndësishme për ekonominë dhe sistemin social të vendit. Një popullsi më e plakur nënkupton më pak fuqi punëtore, presion në rritje mbi skemën e pensioneve dhe kërkesë më të lartë për shërbime shëndetësore e kujdes afatgjatë. Ekspertët vlerësojnë se, nëse këto tendenca vijojnë, Shqipëria do të ketë një peshë gjithnjë e më të madhe të grupmoshave të treta dhe një numër gjithnjë e më të vogël të të rinjve.
