Kina teston raketë balistike, Rutte: NATO nuk mund të jetë më naive

Testimi i një rakete balistike nga një nëndetëse me energji bërthamore e Marinës kineze ka shtuar shqetësimet në Perëndim, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se Aleanca nuk mund ta shohë më Kinën me naivitet.

Duke folur në Ankara, në prag të Samitit të NATO-s, Rutte tha se testi është një tjetër tregues i ndryshimeve në balancën strategjike globale.

“Kjo është një provë e mëtejshme se nuk mund të jemi naivë. Dhe nuk jemi”, u shpreh ai, duke shtuar se Pekini mbetet “mbështetësi kryesor” i përpjekjeve ushtarake të Rusisë në luftën kundër Ukrainës.

Sipas mediave shtetërore kineze, raketa u lëshua nga një nëndetëse strategjike me energji bërthamore e Marinës së Ushtrisë Çlirimtare Popullore. Raketa mbante një kokë stërvitore dhe goditi me sukses zonën e paracaktuar në Oqeanin Paqësor.

Agjencia shtetërore Xinhua bëri të ditur se prova ishte pjesë e programit vjetor të stërvitjeve ushtarake, u zhvillua në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe ishte njoftuar paraprakisht tek vendet përkatëse. Sipas autoriteteve kineze, testi nuk ishte i drejtuar kundër asnjë shteti apo objektivi të caktuar.

Sipas analistëve, ky është testi i parë i njohur publikisht i një rakete balistike të lëshuar nga një nëndetëse bërthamore kineze që prej vitit 1982, duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e aftësive strategjike dhe të parandalimit bërthamor të Pekinit.

Testi shkaktoi reagime të menjëhershme në rajonin Indo-Paqësor. Ministrja e Jashtme e Australisë, Penny Wong, konfirmoi se Canberra ishte informuar paraprakisht nga Pekini, por e cilësoi lëshimin si një veprim destabilizues, duke theksuar mungesën e transparencës në zgjerimin ushtarak të Kinës.

Edhe Zelanda e Re shprehu shqetësim, duke bërë të ditur se ishte njoftuar vetëm pak orë përpara testit. Ndërkohë, Japonia konfirmoi se kishte marrë një paralajmërim për trajektoren e mundshme të raketës, e cila nuk hyri në Zonën Ekonomike Ekskluzive japoneze.

Lëshimi u krye vetëm disa orë pasi Australia dhe Fixhi nënshkruan një marrëveshje të re bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, në një periudhë kur rivaliteti për ndikim në rajonin e Paqësorit mes Kinës dhe aleatëve perëndimorë po intensifikohet.

Deklaratat e Rutte pasqyrojnë qasjen gjithnjë e më të ashpër të NATO-s ndaj Kinës. Aleanca e konsideron rritjen e kapaciteteve ushtarake të Pekinit, zhvillimin e sistemeve të avancuara raketore dhe bërthamore, si dhe bashkëpunimin e ngushtë me Rusinë, si faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë euroatlantike.

Ekspertët vlerësojnë se testi demonstron aftësinë e Kinës për të kryer një “goditje të dytë” bërthamore, pra për të ruajtur kapacitetin e kundërpërgjigjes edhe pas një sulmi të mundshëm bërthamor, duke forcuar më tej besueshmërinë e arsenalit të saj strategjik.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.