Përplasi pesë makina të parkuara dhe u largua me vrap, reagon Policia e Durrësit

Një person i shpallur në kërkim është përfshirë në një ndjekje me Policinë mesditën e kësaj të hëne në Durrës, pasi nuk iu bind urdhrit për ndalim, përplasi pesë automjete të parkuara dhe më pas u largua me vrap nga vendngjarja.

Sipas Policisë, 31-vjeçari Regi Xhanari, kishte thyer më herët masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, të caktuar ndaj tij për veprën penale të mashtrimit.

Rreth orës 12:45, në lagjen nr. 14, Durrës, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, gjatë patrullimit, i kanë bërë shenjë ndalimi drejtuesit të një automjeti që po lëvizte me shpejtësi, por ai nuk i është bindur urdhrit të Policisë dhe ka vijuar lëvizjen.

Gjatë largimit, drejtuesi i automjetit, shtetasi R. Xh., ka përplasur 5 automjete të parkuara, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Më pas, ai ka braktisur automjetin dhe është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes.

Shërbimet e Policisë janë vënë menjëherë në ndjekje të tij dhe po kryejnë kontrolle intensive në zonë për lokalizimin dhe kapjen.

Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se shtetasi R. Xh. ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale “Mashtrimi”.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.