SHBA pezullon ndërmjetësimin për paqen Ukrainë-Rusi

Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar përkohësisht angazhimin e tyre në përpjekjet për ndërmjetësim mes Ukrainës dhe Rusisë, pasi nuk është arritur përparim në procesin diplomatik për përfundimin e luftës.

Deklarata u bë nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili tha se Uashingtoni ka qenë ndër të paktat palë që ka pasur kontakte të drejtpërdrejta si me Moskën ashtu edhe me Kievin.

“Ne ishim të vetmit me të cilët si rusët ashtu edhe ukrainasit ishin të gatshëm të flisnin, prandaj u përfshimë. Fatkeqësisht, kjo nuk solli rezultate. Ky është realiteti”, u shpreh Rubio.

Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara do të rikthehen në procesin e negociatave vetëm nëse ndryshojnë rrethanat dhe dinamika e bisedimeve mes palëve ndërluftuese.

“Nëse dikush tjetër dëshiron ta marrë përsipër këtë proces, urdhëroni me kënaqësi”, shtoi ai, duke lënë të kuptohet se Uashingtoni është i hapur që ndërmjetësimi të kalojë te aktorë të tjerë ndërkombëtarë.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.