Dyshohet se ra me makinë në lumin Seman, nisin kërkimet për gjetjen e 26-vjeçarit

Vijon të mbetet mister fati i 26-vjeçarit Mateo Lika,  i cili një ditë më parë ka humbur kontaktet me familjarët, ndërsa ende nuk ka asnjë të dhënë nëse automjeti i marrë me qera, me të cilin ai udhëtonte ka rënë në ujërat e lumit Seman apo pas përplasjes me parkamakët e urës është larguar që aty.

Policia po heton për të dyja pistat, ndërkohë që mëngjesin e sotëm, në Urën e Mbrostarit në Fier kanë nisur kërkimet për të verifikuar nëse automjeti ka rënë në lumë.

Një grup polumbarësh po kërkojnë në pjesë të tjera të rrjedhës të lumit Seman, ndërsa kanë nisur kërkimet edhe me magnet.

Mëngjesin e ditës së djeshme në Urën e Mbrostarit u konstatuan të thyer parmakët anësorë të të njërit krah të urës, çka tregonte për një aksident të ndodhur në zonë.

Më pas, uniformat blu kanë bërë me dije se në vendin e ngjarjes është gjetur targa e një makine të marrë me qira nga 26-vjeçari Mateo Lika.

Policia njoftoi dje se ishte munduar që të bisedonte në telefon me të riun, por numri ka rezultuar i fikur. Ndërkohë, familjarët e 26-vjeçarit kanë denoncuar në polici zhdukjen e tij.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.