Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi këtë të mërkurë, më 22 prill, disa takime me efektivët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë dhe më pas me Departamentin e Sigurisë Publike, zëvendësdrejtorët për Rendin në qarqe dhe shefat e Sektorëve të Qarkullimit Rrugor.
Gjatë këtyre takimeve, drejtori i përgjithshëm kërkoi vëmendje të veçantë dhe angazhim nga të gjithë drejtuesit dhe efektivët, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore dhe parandalimin e çdo akti abuziv në terren.
“Të mos ndalohen më automjetet në akset rrugore nacionale, pa shkak, por të përdoret teknologjia, poliskani, mjetet shpejtësimatëse dhe dronët, pasi teknologjia është e ardhmja. Masat administrative të prodhuara nga këto mjete duhet të hidhen në sistem brenda ditës”, u shpreh Hita. Gjithashtu, ai kërkoi kontroll rigoroz me grupe pune dhe plane masash në qendrat urbane, për parkimet e gabuara, manovrat e gabuara, zhurmat e gjeneruara nga marmitat e modifikuara, drejtimin e mjetit në efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe për çdo shkelje që sjell trafik dhe rrezik për sigurinë e jetës së përdoruesve të rrugës.
Hita mes të tjerash vlerësoi reagimin qytetar pas telegramit të dërguar strukturave të Policisë Rrugore, duke e cilësuar atë si një mesazh të drejtpërdrejtë për të ndryshuar mënyrën dhe metodat e kontrollit.
Sezoni turistik, siguria rrugore pranë shkollave, por edhe siguria në shkolla, ishin pika të tjera për të cilat Drejtor Hita dha porosi për vëmendje të shtuar dhe bashkëpunim e koordinim me Patrullat e Përgjithshme dhe “Shqiponjat”.
Në përfundim, Drejtori i Përgjithshëm theksoi se Policia Rrugore dhe të gjitha shërbimet e Policisë së Rendit duhet të jenë model në sjellje, reagim dhe veprim, duke ofruar një shërbim sa më të kulturuar për qytetarët dhe me integritet maksimal.
