Shtatë punonjës policie janë pezulluar nga detyra pas zbulimit të “shtëpive të barit” në pronën e vëllait të drejtorit të burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa, më 19 mars.
Të pezulluar janë Komisar Altin Gusho, Komisar Danjel Kacaniku, Nënkomisar Sefer Dushku, Inspektor Muharrem Zylyfi, Nënkomisar Bilbil Lita, Komisar Denis Sinani dhe Inspektor Arben Koseni.
Masat u bënë prezente nga vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, gjatë paradites së sotme, në një mbledhje të zhvilluar në DPPSH, me gjithë drejtorët vendorë dhe ata të Kufirit.
Drejtori Hita u ka kërkuar prerë të gjithë drejtorëve masa të menjëhershme për të luftuar kultivimin e kanabisit, si dhe qëndrim të rreptë për cilindo punonjës policie që bëhet palë apo nuk përmbush detyrën.
Më 19 mars policia zbuloi 2 ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, ku ishin kultivuar rreth 4000 bimë kanabis.
Drejtori i burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa u vetëdorëzua në polici, por u lirua pas 12 orësh.
Hasa tha se për ambientin e zbuluar kujdesesj vëllai i tij. Romario Hasa i cili prej 19 marsit është shpallur në kërkim.
Gjithashtu në kërkim është edhe përgjegjësi i OSHEE-së në zonën e Peqinit Ervis Maçi që akuzohet për shpërdorim detyre.
