Pas sakrificës dhe adhurimit ndaj Zotit përmes agjërimit në muajin e shenjtë të Ramazanit, nesër besimtarët myslimanë në mbarë botën kremtojnë festën më të rëndësishme të këtij komuniteti, Fitër Bajramin, ose Bajramin e Madh. Për besimtarët kjo ditë shënon shpërndarjen e lëmoshës, solidarizimin me të varfrit në mënyrë që të gjithë të kenë mundësi ta gëzojnë së bashku këtë festë.
Në Tiranë falja e madhe do të bëhet në sheshin “Skënderbej”, nesër 20 Mars në orën 06.30. Programi i Fitër Bajramit fillon në orën 06:00 me hapjen e ceremonisë, ndjekur nga leximi i Kur’anit nga imami i xhamisë “Et’hem Beu”, z. Elton Karaj, dhe fjalë përshëndetëse nga Kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu. Ligjërata do të mbahet nga Nënkryetari i KMSH-së, z. Lauren Luli, ndërsa falja e namazit do të kryhet nga Kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu. Hutbeja e Bajramit do të mbajtur nga Myftiu i Tiranës, z. Bilal Teqja.
Përmes një mesazhi, kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu uron të gjithë besimtarët myslimanë dhe mbarë shqiptarët kudo që jetojnë e punojnë, me rastin e festës së Fitër Bajramit, duke përcjellë urimet më të përzemërta për paqe, shëndet dhe begati në familje e më gjerë!
