Sa preket Ballkani nga konflikti SHBA-Iran? Eksperti: Kosova më e rrezikuar se Shqipëria

Lufta në Lindjen e Mesme ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit nuk po kalon pa u ndjerë edhe në Ballkanin Perëndimor.

Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se vendet e rajonit, mund të përballen me pasojat e konfliktit, por sipas tyre, rreziku i sulmeve konvencionale është i kufizuar.

Adrian Shtuni, ekspert i sigurisë nga Qendra Ndërkombëtare kundër Terrorizmit, tha për REL se teknikisht, Republika Islamike i ka mundësitë të lëshojë raketa me rreze të mesme veprimi drejt Ballkanit. Por ato më parë duhet të kalojnë mbi territorin e vendeve të NATO-s si Turqia dhe Greqia, që disponojnë sisteme mbrojtëse kundërajrore.

Eksperti më shumë e vendos theksin tek rreziqet indirekte si i faktori ekonomik, lufta hibride, terrorizmi apo zhvendosja e vëmendjes së aleatëve diku tjetër. Shtuni thekson se spostimi i vëmendjes së Perëndimit nga Ballkani drejt Lindjes së Mesme mund të krijojë hapësira për aktorë të tretë, si Rusia apo grupe të lidhura me Iranin, për të destabilizuar rajonin.

Në këtë kontekst, ai përmend mundësinë e provokimeve nga paraushtarakët serbë, ndërsa nuk e përjashton mundësinë që Irani të përpiqet të shënjestrojë praninë e ushtrisë amerikane në Kosovë, bazuar në veprimet e deritanishme hakmarrëse kundrejt bazave të SHBA-së në Lindjen e Mesme.

Ai thekson se ka individë të radikalizuar që mund të mos jenë nën kontroll direkt të Iranit, por që mund të nxiten nga narrativa se Shtetet e Bashkuara po sulmojnë një vend mysliman, e të kryejnë sulme terroriste ndaj objektivave amerikane. Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina janë dy vendet në rajon që, sipas ekspertëve, mund të ndiejnë më shumë pasojat e konfliktit në Lindjen e Mesme, duke e bërë vigjilencën dhe bashkëpunimin ndërkombëtar më të rëndësishëm se kurrë./tch

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.