Pas deklaratës së presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, se lirimi i rezervave të naftës nga 32 vende mund të ulë çmimet globale, në Shqipëri është shënuar një rënie e çmimit të karburantit. Sot, në disa pika të pakicës në Tiranë, nafta është ulur me 5 lekë për litër, duke kaluar nga 198 lekë një ditë më parë në rreth 193 lekë për litër.
Sipas vëzhgimeve në terren, ulja reflektohet në karburantet e zonave të Bërrylit, Xhamllëkut dhe Pazari i Ri. Shoqata e Hidrokarbureve shpjegon se kjo lëvizje lidhet me ndryshimet në bursat ndërkombëtare të naftës. Megjithatë, çmimi i naftës mbetet rreth 18 lekë për litër më i lartë krahasuar me periudhën para nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme, kur nafta tregtohej rreth 175 lekë për litër.
