Rrezik për shembje/ Bllokohet qarkullimi i mjeteve të rënda në Urën e Digës Çengelaj në Peqin

Bashkia Peqin ka vendosur ndalimin e qarkullimit për një kohë të pacaktuar të mjeteve motorike me tonazh mbi 3.5 ton në Ura e Digës Çengelaj mbi lumin Shkumbin. Vendimi, i marrë me urdhëresën nr. 57, datë 06.02.2026 nga Kryetari i Bashkisë Bukurosh Maçi, vjen pas raportit të Institutit të Ndërtimit, i cili rekomandon ndalimin e menjëhershëm të mjeteve të rënda për shkak të riskut që paraqet struktura aktuale e urës.

Autoritetet kanë urdhëruar vendosjen e kufizuesve fizikë (blloqe betoni) në hyrje dhe dalje të urës, me mbështetjen e Komisariatit të Policisë Peqin, dhe monitorimin e vazhdueshëm të zbatimit të vendimit. Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Durrës do të ketë rol mbikëqyrës në kontrollin e sigurisë së urës dhe do të raportojë çdo veprim që cenon stabilitetin e saj.

Vendimi prek dhjetra fshatra që lidhen me Peqin dhe Belsh, duke rritur kostot për banorët dhe bizneset e zonës. Autoritetet theksojnë se masa është e përkohshme dhe paralelisht po hartohet projekti për rikonstruksionin e plotë të Digës Çengelaj dhe urës së shërbimit.

Bashkia Peqin synon gjithashtu sigurimin e fondeve për ndërtimin e një ure të re, që do të garantojë qarkullim të sigurt dhe afatgjatë për zonën.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.