21 të arrestuar pas protestës së opozitës

21 persona, mes të cilëve katër të mitur, u arrestuan nga Policia e Tiranës pas tubimit të opozitës mbrëmjen e të martës, ku pati përplasje mes protestuesve dhe efektivëve të policisë.

Ata u referuan në Prokurori si të dyshuar për 6 akuza, më të rëndat prej tyre ato të plagosjes së rëndë me dashje, goditjes për shkak të detyrës apo shkeljes së rregullave për lëndët plasëse.

Për akuzat e “Kundërshtimit të punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Shtytjes së të miturit në krim”, në gjendje të lirë u referuan për t’u hetuar sekretari organizativ i Partisë Demokratike, Ervin Minarolli, si dhe 4 deputetë të kësaj force.

Në një deklaratë për mediat, ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, tha se dhuna është e pafalshme.

“E drejta për të protestuar nuk është e drejta për të dhunuar, për të shkatërruar, apo aq më pak për të tentuar gjymtimin e punonjësve të policisë”.

Policia thotë se gjatë zhvillimit të protestës, nga hedhja e sendeve të forta apo lëndëve plasëse, u lënduan 16 efektivë. Ndërkohë, gjatë kontrolleve të ushtruara pas shpërndarjes së protestës, hetuesit sekuestruan pranë Kuvendit 22 molotovë dhe 3 shishe me benzinë.

Të proceduar penalisht në gjendje të lirë:

  • Ervin Minarolli
  • Flamur Noka
  • Klevis Balliu
  • Luan Baçi
  • Belind Këlliçi
Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.