Stuhia dimërore lë pas dhjetëra viktima teksa i ftohti vazhdon në SHBA

Të paktën 38 persona në 14 shtete kanë humbur jetën deri të martën si pasojë e një stuhi të fuqishme dimërore që përfshiu pjesë të mëdha të SHBA-ve qendrore dhe lindore me borë, akull dhe temperatura nën zero, sipas autoriteteve lokale dhe mediave.

Stuhia filloi të formohej të premten dhe gjatë fundjavës shkaktoi reshje të mëdha bore në një zonë të gjerë. Borë e dendur krijoi probleme në trafikun rrugor, anulime të fluturimeve dhe ndërprerje energjie para se të zbehej të hënën, duke lënë pas një të ftohtë të acartë që pritet të vazhdojë.

Të martën, qytetet mobilizuan ekipet e emergjencës dhe burimet për të siguruar që banorët, veçanërisht të pastrehët, të jenë të sigurt, ndërkohë që mbi 550 mijë shtëpi dhe biznese në të gjithë vendin mbetën pa energji elektrike.

Dhjetë viktima të stuhisë ishin në Nju Jork, ku temperaturat ishin më të ulëta se sa në tetë vitet e fundit, tha kryebashkiaku Zohran Mamdani në një konferencë për shtyp të martën, kur temperaturat minimale ranë në -22 gradë Celsius.

Ndërkohë që dhjetë viktimat u gjetën jashtë, nuk dihet nëse ishin të pastrehë. Mamdani tha të hënën se disa prej tyre “kishin pasur kontakte me sistemin tonë të strehimit më parë” dhe se është ende herët për të përcaktuar shkakun e vdekjes.

Qyteti i Nju Jorkut shtyu nga kjo javë deri në fillim të shkurtit numërimin vjetor të popullsisë së të pastrehëve, i kërkuar nga Departamenti Amerikan i Banesave dhe Zhvillimit Urban.

“Punonjësit e shërbimeve sociale duhet të fokusohen tek futja e qytetarëve brenda ambienteve të sigurta, jo tek mbledhja e të dhënave”, tha Mamdani.

Rreth 500 nga më shumë se 4 mijë të pastrehë që mendohet të jetojnë në rrugët dhe metronë e qytetit janë strehuar që nga 19 janari, ndërsa punonjësit po monitorojnë çdo dy orë 350 të pastrehë që janë në rrezik për shkak të problemeve shëndetësore.

Në Nashville, Tennessee, një qytet me rreth 680 mijë banorë, ku mbi 135 mijë shtëpi dhe biznese mbeten pa energji, pritet që temperatura të bjerë në -14 gradë Celsius me erë të fortë të nën-zero deri të mërkurën. Kryebashkiaku Freddie O’Connell e quajti situatën “një stuhi historike akulli”.

Zyrtarët e Nashville thanë se rreth 1 mijë e 400 të pastrehë kanë mbushur të tre strehëzat e qytetit dhe dy strehëzat e rezervës, ndërsa policia dhe zjarrfikësit punojnë me orë shtesë. Organizata Nashville Rescue Mission, që ushqen, vesh dhe strehon të pastrehët gjatë gjithë vitit, zakonisht ka rreth 400 persona nata për natë, por gjatë të ftohtit ky numër është rritur në rreth 7 mijë.

Shkaqet e vdekjes nga stuhia përfshijnë hipotermi, ekspozim ndaj të ftohtit dhe incidente kardiake gjatë pastrimit të borës. Në Bonham, Teksas, tre djem të rinj vdiqën pasi ranë në një pellg të ngrirë, ndërsa në Austin një person humbi jetën nga hipotermia duke u strehuar në një stacion karburanti të braktisur. Vdekjet nga hipotermia janë raportuar gjithashtu në Kansas, Kentucky, Louisiana, Mississippi, Carolina e Jugut, Tennessee dhe Michigan.

Rreth 200 milion amerikanë mbeten nën paralajmërime për mot të ftohtë deri të paktën më 1 shkurt, ndërsa meteorologët paralajmërojnë për një tjetër stuhi dimërore që mund të prekë lindjen e SHBA-ve këtë fundjavë.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.