Mijëra njerëz në Groenland dhe Danimarkë dolën në protesta për të shprehur kundërshtimin ndaj planeve të presidentit amerikan Donald Trump për të marrë nën kontroll Groenlandën, një territor autonom danez. Demonstratat u mbajtën në qytete të ndryshme daneze, përfshirë kryeqytetin Kopenhagen, si dhe në kryeqytetin e Groenlandës, Nuuk.
Protestat përkojnë me vizitën në Kopenhagen të një delegacioni të Kongresit Amerikan. Senatori demokrat Chris Coons, e përshkroi retorikën e Trumpit si jo konstruktive. Trump nuk ka përjashtuar mundësinë e marrjes së Groenlandës, që e konsideron jetik për sigurinë kombëtare të Amerikës, madje ka njoftuar se do të vendosë tarifa ndaj vendeve evropiane, që kundërshtojnë planet e tij. Sipas një postimi në platformën e tij Truth Social të shtunën, mallrat nga Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe Finlanda do të jenë subjekt i një tarife 10% në SHBA, duke nisur nga 1 shkurti.
Duke akuzuar këto vende për lojë shumë të rrezikshme, Trump tha se tarifat do të rriten në 25% nga 1 qershori, deri në arritjen e një Marrëveshjeje për Blerjen e Plotë dhe të Përfunduar të Groenlandës. Kujtojmë se Groenlanda ka popullsi të vogël, por është i pasur me burime natyrore, dhe pozicioni i tij ndërmjet Amerikës së Veriut dhe Arktikut e bën vend ideal për sistemet e alarmit të hershëm në rast sulmesh me raketa dhe për monitorimin e anijeve në rajon.
Trump më parë kishte thënë se SHBA-të do të marrë territorin me patjetër, një referencë e qartë për blerjen e ishullit ose marrjen e tij me forcë. Në Kopenhagen, të shtunën, protestuesit mbanin pankarta me mbishkrime. “Duart larg Groenlandës” dhe “Groenlanda për banorët e tij”. “Është shumë e rëndësishme që të qëndrojmë bashkë dhe të tregojmë se Groenlanda nuk është për shitje dhe ne nuk duam të jemi amerikanë ose të aneksohemi nga SHBA-ja”, tha politikani Erik Jensen për agjencinë Reuters.
Protestat e së shtunës u organizuan nga organizata joqeveritare të ishullit dhe daneze. “Ne kërkojmë respekt për Mbretërinë Daneze dhe për të drejtën e Greenlandit për vetëvendosje”, tha Camilla Siezing, drejtuesja e organizatës Inuit, një grup i përbërë nga asociacione groenlandeze. Në Nuuk, kryeministri i Groenlandës Jens-Frederik Nielsen iu bashkua protestuesve që mbanin pankarta me mbishkrime: “Groenlanda nuk është për shitje” dhe “Ne formojmë të ardhmen tonë”, teksa marshuan drejt konsullatës amerikane.
Sondazhet e opinionit publik tregojnë se 85% e banorëve të Groenlandës janë kundër anëtarësimit të territorit në SHBA. Vendet e tjera evropiane gjithashtu kanë shprehur mbështetje për Danimarkën, duke argumentuar se siguria e rajonit Arktik duhet të jetë përgjegjësi e përbashkët e NATO-s. Franca, Gjermania, Suedia, Norvegjia, Finlanda, Holanda dhe Mbretëria e Bashkuar kanë dërguar një numër të vogël trupash në Groenlandë për një mision të quajtur “reconnaissance” (zbulim dhe vëzhgim).
Shumë amerikanë janë shprehur skeptikë për blerjen e Groenlandës. Pjesa më e madhe e delegacionit të Kongresit që viziton Danimarkën janë demokratë, por ekipi prej 11 anëtarësh përfshin gjithashtu republikanë të moderuar. “Ka arsye të ligjshme për të eksploruar mënyra për të investuar më mirë në sigurinë e Arktikut në mënyrë të gjerë, si në Arktikun Amerikan, ashtu edhe me partnerët tanë të NATO-s”, tha senatori Coons.
