Ditë e ngarkuar në Riad/ Gonxhja takohet me influencerin Khaby Lame: E ftova në Shqipëri!

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, këtë të dielë ndodhet në Riad, ku po merr pjesë në Asamblenë e 26-të të Përgjithshme të UN Tourism.

Gjatë kësaj vizite, Gonxhja ka zbuluar se është takuar me një sërë politikanësh, mes të cilëve homologu i tij nga Mbretëria e Arabisë Saudite, Ahmed Al Khateeb.

Në këtë event, Gonxhja përfaqëson Shqipërinë në diskutimet mbi zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, partneritetet ndërkombëtare dhe sfidat e reja të sektorit.

“Pjesëmarrja jonë vlen për të ndarë përvojën me rreth 150 vendet e ministritë homologe për të forcuar ndërveprimin në promovimin dhe fuqizimin e turizmit.”, shkruan Gonxhe.

Por përpos figurave politike, si sekretari i Shtetit për Turizmin, Tregtinë dhe Shërbimet të Portugalisë, Pedro Machado, apo sekretari i Përgjithshëm i UN Tourism, Zurab Pololikashvili, Gonxhja është takuar edhe me personalitete të botës së mediave sociale. Fjala është për influencerin e famshëm Khaby Lame, me të cilin ministri Gonxhja ka pozuar për foto.

“Me Khaby Lame, Influencer me mbi 200 milionë ndjekësa dhe tashmë UN Tourism Social Ambassador, një nga profilet më të ndjekura në botë.

E ftuam që shumë shpejt të vijë në Shqipëri, për të zbuluar bukuritë e vendit tonë dhe për t’i ndarë me miliona ndjekësit e tij nga e gjithë bota.”, shkruan ministri i Turizmit në rrjetet sociale.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.