Shkeljet në Estoni! NATO mbledhje urgjente, paralajmëron Rusinë me aktivizimin e Nenit 5

NATO i ka dërguar një mesazh të qartë Rusisë, duke i kërkuar të ndalojë sjelljet “të papërgjegjshme” dhe “të pamenduara” kundër vendeve anëtare të Aleancës. Reagimi erdhi pas incidentit të ndodhur më 19 shtator, kur tre avionë luftarakë rusë MiG-31, të armatosur, shkelën hapësirën ajrore të Estonisë për më shumë se dhjetë minuta.

Pas kërkesës së Estonisë, Këshilli i Atlantikut të Veriut u mblodh urgjentisht dhe dënoi ashpër provokimin rus, duke shprehur “solidaritet të plotë” me vendet aleate që kanë përjetuar shkelje të hapësirës së tyre ajrore.

“Këto veprime janë të rrezikshme, përshkallëzuese dhe mund të çojnë në gabime të rënda me pasoja serioze. Rusia mban përgjegjësinë e plotë dhe duhet t’i japë fund menjëherë këtyre provokimeve”, thuhet në deklaratën e NATO-s.

Aleanca nuk përjashton përdorimin e nenit 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, i cili parashikon se një sulm ndaj një vendi anëtar konsiderohet sulm ndaj të gjithë anëtarëve. “Përgjigjja jonë ndaj veprimeve të pamatura të Rusisë do të mbetet e fortë”, theksohet në deklaratë.

Në këtë kuadër, më 12 shtator, NATO nisi operacionin “Eastern Sentry”, për të përforcuar praninë ushtarake në krahun lindor të Aleancës dhe për të rritur kapacitetet mbrojtëse, përfshirë mbrojtjen ajrore.

“Rusia nuk duhet të ketë asnjë dyshim: NATO dhe aleatët do të përdorin të gjitha mjetet e nevojshme, ushtarake dhe jo-ushtarake, për të mbrojtur çdo vend anëtar dhe për të përballuar çdo kërcënim, nga çdo drejtim. Jemi të vendosur dhe të përkushtuar ndaj nenit 5”, përfundon deklarata.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.