Një incident ka ndodhur pasditen e sotme në aksin rrugor Lezhë–Milot, pranë fshatit Gajush, ku një i ri nuk i është bindur urdhrit të policisë për të ndaluar. Si pasojë, efektivët e Policisë së Lezhës kanë qëlluar në drejtim të automjetit të tij.
Fatmirësisht, nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar.
Menjëherë pas incidentit, policia ka organizuar ndjekjen dhe ka arritur të ndalojë drejtuesin e mjetit, i cili është arrestuar dhe shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Lezhë për të dhënë shpjegime lidhur me rrethanat e ngjarjes.
Ndaj tij janë nisur hetimet për të zbardhur motivet e mosbindjes ndaj urdhrit të efektivëve si dhe për të përcaktuar nëse në mjetin e tij është gjetur ndonjë material i paligjshëm. Deri tani nuk ka informacion zyrtar në lidhje me sende apo materiale të sekuestruara gjatë kontrollit.
Policia e Shtetit ka theksuar se veprimet janë ndërmarrë në përputhje me protokollet e ndjekjes dhe neutralizimit të mjeteve të dyshuara në rastet kur refuzohet ndalimi.
