Zjarr pas mesnatës në ish-parkun e mjeteve në Lushnjë, digjen katër autobusë

Miks Albania

Një ngjarje e rëndë është shënuar rreth orës 03:40 të mëngjesit të sotëm në Lushnje, ku katër autobusë janë përfshirë nga flakët në parkun automobilistik të qytetit. Tre prej mjeteve janë djegur plotësisht, ndërsa një tjetër është dëmtuar pjesërisht.

Autobusët ndodheshin të parkuar në momentin që ka rënë zjarri. Sipas informacioneve paraprake, pas dhënies së alarmit, drejtuesit e tjerë të mjeteve kanë ndërhyrë menjëherë, duke larguar autobusët dhe automjetet e tjera që ndodheshin pranë, për të shmangur përhapjen e mëtejshme të flakëve.

Në vendngjarje kanë mbërritur dy mjete zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur izolimin dhe shuarjen e zjarrit.

Ende nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit. Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për dokumentimin e plotë të saj, si dhe për përcaktimin e shkakut të flakëve që dogjën autobuset. Hetimet janë në vijim.

Copyright © 2025 Miks News. All rights reserved.