Tre shqiptarë janë arrestuar nga autoritetet greke pasi akuzohen se kanë vrarë një notere 69-vjeçare në Zakynthos në shkurt të këtij viti.
Të arrestuar, sipas mediave greke, janë babë e bir dhe një mik i tyre.
“Çelësi” për zgjidhjen e krimit ishte arrestimi i njërit prej autorëve të dyshuar, i cili jetonte në Nemea.
Kur u mor në pyetje nga autoritetet dhe pasi iu paraqitën provat, ai dyshohet se përshkroi atë që ndodhi natën fatale.
Sipas burimeve policore, i arrestuari përshkroi se kishte shkuar në Zakynthos një ditë para vrasjes, dhe synimi ishte grabitja e noteres.
“Ne vendosëm kapuçë, maska, doreza dhe i ngritëm kurth”, deklaroi autori i dyshuar.
Duke përshkruar atë që ndodhi, ai tha: “Ne po e prisnim që ajo të kthehej dhe nxituam të merrnim çelësat e saj dhe të hynim në shtëpi. U përpoqa ta hapja derën dhe në atë moment pashë që ajo kishte rënë dhe po i dilte gjak. I thashë “hajde të ikim” dhe ikëm.”
Pas përleshjes së përgjakshme dhe vdekjeprurëse, dy burrat me origjinë shqiptare dyshohet se u larguan nga vendi i ngjarjes në këmbë, duke ecur për rreth një orë përpara se të telefononin djalin e të parit për t’i marrë.
Ndërkohë, ata i kishin djegur rrobat dhe e kishin hedhur thikën.
Sipas dëshmisë “për dy muajt në vijim ata nuk patën kontakt me njëri-tjetrin, për të shmangur lidhjen mes tyre”.
Sipas informacioneve, dy burrat, të dy me origjinë shqiptare, po punonin së bashku në ndërtim kur vendosën të kryenin grabitjen, duke synuar viktimën 69-vjeçare. Babai jetonte me të birin në Zakynthos, ndërsa burri tjetër jetonte në Nemea.
Ai që e goditi gruan fatkeqe me thikë në kofshë, duke i shkaktuar asaj gjakderdhje të pakontrollueshme, dyshohet se është babai, i cili, megjithatë nuk e ka pranuar krimin.
Noterja u gjet nga djali i saj mëngjesin e kobshëm, e shtrirë pa ndjenja në shkallët e shtëpisë së saj, pranë makinës së saj.
Mjeku ligjor që shkoi në vendngjarje arriti në përfundimin se vdekja e saj ishte shkaktuar nga një akt kriminal, pasi gruaja pësoi një plagë me thikë dhe prerje në pjesën e brendshme të kofshës së majtë, mbi gju, të cilat shkaktuan gjakderdhje të madhe, duke rezultuar në vdekjen e saj brenda pak minutash.