Një operacion shpëtimi është duke u zhvilluar në malin Eiger në Alpet Zvicerane, pasi disa persona janë zënë nga një ortek dëbore, bën me dije policia lokale.
Sipas një deklarate nga policia, ngjarja ndodhi mesditën e sotme, dhe autoritetet kanë nisur menjëherë një operacion në shkallë të gjerë.
Në terren janë angazhuar disa ekipe shpëtimi, të cilat po punojnë për të lokalizuar dhe shpëtuar personat e zënë nën dëborë.
Mali Eiger, me një lartësi prej 3,967 metrash, ndodhet pranë resorteve turistike të Grindelwald, Lauterbrunnen dhe Wengen, zona të njohura për alpinistët dhe dashamirësit e sporteve dimërore.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende informacion zyrtar mbi numrin e saktë të personave që janë zënë poshtë nga orteku.