Një incident i rëndë është regjistruar mbrëmjen e djeshme në afërsi të rrethrrotullimit të Mirasit në Bilisht, ku një konflikt mes dy personave dhe një shoferi kamioni ka përfunduar me ndërhyrjen e Policisë dhe arrestimin e njërit prej të përfshirëve.
Policia njofton se ka arrestuar në flagrancë 42-vjeçarin Altin Nallbati, banues në Devoll, për veprat penale “Dëmtime të tjera me dashje”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, pasi ka ushtruar dhunë ndaj një drejtuesi kamioni.
Sipas hetimeve paraprake dhe këqyrjes së pamjeve filmike, rezulton se rreth orës 21:15 të datës 3 maj 2025, Altin Nallbati së bashku me vëllain e tij, Bledjon Nallbati, aktualisht kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike, ndaluan automjetin e tyre në rrugë, duke bllokuar qarkullimin e mjeteve të tjera.
Pas një debati verbal me drejtuesin e kamionit, shtetasin S.D., Altin Nallbati ka tentuar ta zbresë me forcë nga kabina dhe ta godasë me grushte, ndërkohë që ka kryer edhe veprime fyese në publik. Në përplasje është përfshirë dhe Bledjon Nallbati, i cili fillimisht ka ndërhyrë për të qetësuar situatën, por më pas është filmuar duke tentuar edhe ai të zbresë shoferin nga kamioni me forcë.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për vijimin e hetimeve në lidhje me ngjarjen.