Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar këtë të diel një takim me qytetarët e Kuçovës në kuadër të fushatës elektorale.
Berisha premtoi grante për sipërmarrësit e rinj, mbulim të interesave për kredi banese dhe subvencione për punësim.
Kryedemokrati theksoi se është i orientuar bashkë me demokratët drejt ringritjes ekonomike të vendit përmes fuqizimit të brezit të ri.
Berisha: Jam sot këtu dhe i drejtohem Ledianit, bashkëmoshatarëve të tij dhe gjithë të rinjve që ndodhen në këtë shesh apo kudo tjetër: 11 maji shënon një fillim të ri për çdo të ri, për çdo vajzë e djalë që dëshiron të ndërtojë ëndrrën e tij në Shqipëri, të ardhmen e tij në këtë vend.
Ne garantojmë se shkollimi i fëmijëve tanë do të zhvillohet në kushte moderne, në shkolla të pajisura me teknologji të reja dhe me cilësi të lartë. Do të dyfishojmë buxhetin për arsimin dhe do të heqim mesataren si një pengesë absurde që i ndalon të rinjtë të hyjnë në universitete. Përkundrazi, dyert e universiteteve do të jenë të hapura për të gjithë, dhe pas diplomimit, çdo sipërmarrës që punëson të rinjtë do të mbështetet nga qeveria me një vit sigurime shoqërore të paguara për çdo të ri të punësuar.
Qeveria do të ofrojë grante për çdo biznes dhe startup të të rinjve tanë. Do të vendosim grante për çdo kredi për banesë, në mënyrë që çdo çift i ri të ketë mundësi të ndërtojë jetën në vendin e tij. Do të mbulojmë deri në 30 mijë euro interesat e kredive, dhe për familjet që sjellin në jetë fëmijën e tretë, shteti do të marrë përsipër shlyerjen e plotë të kredisë.