Plumba për ditëlindje! Mbushi 11-vjeç, i mituri doli për të festuar me kushërinjtë, 19-vjeçari sapo kishte ardhur nga Anglia

Më shumë se 12 orë pas atentatit të ndodhur mbrëmjen e kaluar në Tiranë, policia ende nuk ka identifikuar apo arrestuar ndonjë autor. Nga sulmi mbetën të plagosur katër persona, përfshirë dy të mitur: djali dhe nipi i pronarit të një kompanie sigurimi private.

Ngjarja nisi pasditen e djeshme, kur të rinjtë ishin nisur drejt fshatit Pjezë në Shijak për të festuar ditëlindjen e 11-vjeçarit Demiraj, djalit të pronarit. Ata ishin shoqëruar nga një shok i tyre, Kian Mullahi, dhe ishin transportuar nga shoferi i familjes me një automjet luksoz tip G-Class me targa AB002MD, në pronësi të Vesel Demirajt. Pas përfundimit të festës, grupi ishte nisur për në banesat e tyre në Lundër, për të vijuar festimet me familjarët. Por gjatë kthimit në Tiranë, në zonën e Unazës, u bënë objekt i një atentati të armatosur. Një makinë i kishte zënë pritë dhe i kishte ndjekur, duke qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre.

Të plagosurit u transportuan me automjete private drejt spitalit. Mësohet se shoferi 34-vjeçar dhe 19-vjeçari Kian Mullahi janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa 17-vjeçari është në gjendje të qëndrueshme. Fatkeqësisht, 11-vjeçari ndodhet në gjendje më të rëndë shëndetësore.

19-vjeçari Kian Mullahi jeton në Angli dhe kishte ardhur për pushime në vend.

Hetimet për ngjarjen janë ende në zhvillim.

Copyright © 2025 Miks News. All rights reserved.