Përgjysmohet çmimi i luleshtrydhes në pikun e sezonit

Miks Albania

Ka nisur sezoni i pikut të luleshtrydhes, por çmimi i shitjes është përgjysmuar.

Fermerët në Karafaj të Fierit pas protestës së bërë disa ditë më parë i janë kthyer punës.

Kërkesat janë rritur, si për eksportet ashtu dhe për tregun vendas. Sipas prodhuesve, duke iu referuar kostos së produktit, çmimi duhej të ishte dy herë më i lartë në krahasim me kërkesat.

Futja në tregun shqiptar e luleshtrydhes greke, e cila rezultoi me pesticide të dëmshme penalizoi tregun vendas.

Mikel Hamataj shprehet i bindur se prodhimi i tij është cilësor, pavarësisht se i mungon fletë analiza që tregon preparatet që ka përdorur.

Sipas tij, duhet më tepër mbështetje për fermerin nga Ministria e Bujqësisë, me qëllim garantimin e shitjes mbi koston.

“Sipas kostos sot, ishte 8 mijë Lekë, 9 mijë Lekë arka, që është 5 kiloshe. Sot po shitet deri në 4 mijë Lekë, është minus për neve. Tani ushqimet, spërkatjet, punëtorët, arkat”, thotë Hamataj.

Mikeli punon në serrat e luleshtrydhes së bashku me gruan e tij Elenin. Të dy, eksperiencën dhe fidanët i kanë sjellë 20 vite më parë nga Greqia dhe sot kanë marrë toka me qira për të shtuar sipërfaqet e mbjella.

Ulja e çmimit i ka dëshpëruar, por janë të detyruar të pranojnë ofertën e tregtarëve me qëllim shitjen e produktit i cili është pjekur shpejt nga ngrohja e motit.

“Kërkesa ka, por kur s’ka çmim ça duhen që ka. Çmimi aq thotë ai, 3 mijë, e shumta 4 mijë”, shprehet Eleni Hamataj.

Një tjetër fermer në Kafaraj shpreh shqetësimin e uljes së çmimit të frutit të kuq. Mondi Hamataj, tregon se prej 12 vitesh kultivon luleshtrydhen për eksport dhe asnjëherë nuk i është kthyer produkti.

Ai e konsideron dyshues lajmin për pesticide të dëmshme të mallit grek, pasojat e së cilës po i vuajnë sot.

“Tregu jonë, 70 për qind e luleshtrydhes këtu në Kafaraj ikën për eksport. Ikën në Poloni, Gjermani, Itali dhe këndej nga Ballkani, Serbi, Kosovë e me radhë”, thotë Mondi Hamataj.

Nëse kalon përgjatë këtin aksi rrugor në Fier, sheh me dhjetëra pika që shesin luleshtrydhe, dhepranë tyre janë serat e mbjella me këtë frut. Fermerët kanë zgjedhur këtë mënyrë për të shitur me çmim më të lartë prodhimin, duke anashkaluar tregtarinë.

Pothuajse 90 për qind e tokave në Kafaraj, janë mbjellë me bimën e luleshtrydhes të sjellë nga Greqia, dhe që sot eksportohet në të gjithë Ballkanin.

Copyright © 2025 Miks News. All rights reserved.