Donald Trump tha ditën e djeshme se njoftimi i tij i befasishëm, për të “ngrirë” shumicën e tarifave që ai kishte vendosur në dhejtëra vende, ishte shkruar “nga zemra” dhe pa udhëzimet e avokatëve.
Në postimin surprizë të publikuar të mërkurën në platformën Truth Social thuhej se shumë vende, partnerë tregtarë të SHBA-së, (duke përjashtuar Kinën, e cila u kundërpërgjigj ndaj sulmit ekonomik të Trump ditët e fundit) do të përfitojnë për tre muaj nga kufizimi i tarifave doganore prej 10%. “Kam menduar për këtë ditët e fundit”, u tha ai gazetarëve dje pas vendimit për të “ngrirë” tarifat.
Sipas Sekretarit të Tregtisë, Howard Latnick, postimi në Truth Social u shkrua nga Trump, ai vetë dhe Sekretari i Thesarit Scott Besant. Njoftimi thuhet se ka habitur disa ligjvënës republikanë.
Siç komentoi Trump nga Zyra Ovale, njoftimi “u shkrua të mërkurën në mëngjes, mjaft herët”.
“Vetëm u ulëm dhe e shkruam, nuk përdorëm avokatë… E kemi shkruar nga zemra”.
“Është shkruar nga zemra dhe mjaft mirë, mendoj”, shtoi presidenti amerikan, sipas Politico.
“Ne nuk duam të dëmtojmë vendet që nuk kemi nevojë t’i lëndojmë, dhe ata të gjithë duan të negociojnë. Ne duam ta bëjmë atë siç duhet, ne duam të kujdesemi për ta, por duhet të kujdesemi për vendin tonë, kështu që… Por kjo ishte diçka për të cilën, sigurisht, kishim folur për një kohë të gjatë dhe sot vendosëm ta bëjmë, dhe jemi të kënaqur për këtë,” tha më tej Trump, sipas Axios.