Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka kërkuar leje nga SPAK që të mos paraqitet të hënën, 7 prill në Prokurorinë e Posaçme.
Mësohet se Berisha ka kërkuar leje pasi do të udhëtojë drejt Strasburgut.
Edhe në shkurt Berisha i kërkoi leje SPAK që të mos paraqitej në Prokurori, kërkesë e pranuar nga institucioni.
Berisha udhëtoi në Gjermani, për një takim pune më 3 shkurt pasi ishte ftuar nga CDU.
Apeli i GJKKO i riktheu masën detyrim paraqitjeje 2 herë në muaj në SPAK Berishës për dosjen “Partizani”.
Ish-kryeministri Berisha akuzohet për “korrupsion pasiv” në privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani. Sipas organit të posaçëm të akuzës ai ka nxjerrë akte ligjore dhe nënligjore në favor të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi që ky i fundit të kryente privatizimin e kompleksit, ku më pas do të ndërtoheshin pallate.
Nga ana tjetër për Malltezin rëndon dhe akuza e pastrimit të parave, përveç atij të korrupsionit pasiv. Ndërsa ndërtuesi Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion aktiv dhe pastrim parash, akuzë e cila rëndon edhe ndaj Xhimi Begesë dhe noteres Andia Pustina.