Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ditën e sotme mikpriti homologun çek, Jan Lipavský. Në një deklaratë të përbashkët për mediet, ministri Hasani rithkesoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Republikës Çeke dhe theksoi rëndësinë e dialogut të hapur dhe të sinqertë politik që zhvillohet çdo ditë.
Ministri shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Republika Çeke ka ofruar dhe ofron për Shqipërinë në procesin e integrimit në BE.
Hasani: Bisedimet tona u përqendruan në fushat e bashkëpunimit dypalësh. U përmendën angazhimet dhe prioritetet e përbashkëta në kuadër të organizatave ndërkombëtare. Një fakt i veçantë që dua të ndaj sot është rritja e konsiderueshme e turizmit mes Shqipërisë dhe Republikës Çeke. Gjatë vitit të kaluar mbi 110 mijë turistë çekë vizituan Shqipërinë, që përbën një rritje prej 58% krahasur me vitin 2023.
Ky tred është një sukses i bashkëpunimit në fushën e turizmit. Një pjesë e rëndësishme e bisedimeve tona është edhe ecuria e Shqipërinë në BE. Shqipëria i nisi negociatat për anëtarësim në korrik të vtit 2022, gjatë presidencës çeke të këshillit të BE. Ky është një moment historik për Shqipërinë dhe në këtë kuadër ministri më rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur në këtë proces. Sa i përket agresionit rus ndaj Ukrainës, ne ritheksuam mbështetjen tonë të palëkundur ndaj Ukrainës. Mbështetja jonë do të vijojë e pandërprerë deri në arritjen e një paqeje të qëndrueshme.